Protesta të reja kundër keqpërdorimeve të Koorporatës Elektroenergjitike të Kosovës (KEK) u mbajtën në Prishtinë ditën e dielë, ndërsa ndërhyrja e qeverisë nuk ka shërbyer për të qetësuar shoqërinë civile.
Sipas mediave kosovare, që citojnë “Grupin Organizativ të Qytetarëve”, “reagimet e fundit institucionale janë të pamjaftueshme dhe nuk i adresojnë të gjitha pikat e ngritura gjatë protestave të 7 dhe 8 shkurtit”.
Në këtë deklaratë të re, shoqëria civile shpalli edhe kërkesat e saj ndaj KEK-ut, të cilat janë:
1. Të ndalohet rritja e mëtejshme e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët
2. Të mos shkëputet nga rrjeti i energjisë elektrike asnjë konsumator që nuk e ka paguar faturën e muajit janar (kur hynë në fuqi edhe tarifat e reja)
3. Të krijohet një komision parlamentar që krahas Prokurorisë dhe Policisë të Kosovës të nisë edhe një hetim parlamentar në lidhje me keqpërdorimet e KEK-ut, duke siguruar që mos të ketë keqpërdorime të tjera gjatë hetimeve të nisura
Sipas organizatorëve të protestës, nëse këto tre pika nuk do të përmbushen, atëherë vala e manifestimeve do të vazhdojë në ditët në vijim.
Top Channel