
Italianët do të votojnë më 24 dhe 25 shkurt. Sondazhet e fundit, të publikuara të premten, parashikojnë fitues kolaicionin e qendrës së majtë të drejtuar nga Pier Luigi Bersani, i cili nuk do të mund ta drejtojë i vetëm vendin pa bërë koalicion me forcën e udhëhequr nga Mario Monti.
Partia Demokratike e Pier Luigi Bersanit kryeson me pesë pikë, pavarësisht skandalit mbi një bankë të Sienës apo rilindjes politike të Silvio Berlusconit.
Janë “të pavendosurit” që mund të ndryshojnë rezultatin, por shumica e sondazheve parashohin fitoren e Bersanit, të cilit do t’i duhet një aleat në Senat, ku vendet përcaktohen nga rajonet. Deri tani ka një diferencë prej tre pikësh mes qendrës së majtë dhe asaj të djathtë. Më i mundshmi është Mario Monti.
Gjatë kësaj jave, Monti dhe Bersani kanë nisur të shkëmbejnë oferta mes tyre, por çdo aleancë e mundshme kundërshtohet fuqishëm nga partia “E Majtë, Ekologji Liri”, partnere në koalicionin e qendrës së majte e drejtuar nga Nichi Vendola.
Monti i kërkoi Bersanit ta braktisë aleatin ose për ndryshe do t’i bëjë keq investitorëve ndërkombëtare. Profesori James Waltson, nga Universiteti Amerikan i Romës, mendon se prania e Montit në qeveri do t’i japë më shumë besim Europës dhe tregjeve, madje edhe më shumë forcë qeverise.
Disa analistë janë të mendimit se çdo aleancë do të rezultojë e dobët, me gjasa do të shembet brenda pak muajsh. Por Waltson tha se kjo zor se do të ndodhë nëse do të mbahet parasysh nevoja e dëshpëruar e Italisë për të ruajtur pozicionin e fituar në arenën ndërkombëtare. Një gjë është e sigurt, Europa do t’i ndjekë me shumë vëmendje këto zgjedhje në Itali.
Top Channel