Tunizi, islamikët thirrje për anti-miting

09/02/2013 00:00

Anëtarë të partisë islamike në pushtet, Ennahda, kanë bërë thirrje për një miting masiv, një ditë pasi një turmë e madhe mori pjesë në varrimin e liderit të vrarë të opozitës.

Një mesazh i publikuar në faqen e grupit në Facebook ftonte qytetarët që të mblidheshin në orën 14:00 në qendër të kryeqytetit Tuniz.

Mitingu synon të mbrojë legjitimitetin e Asamblesë Kombëtare Kushtetuese dhe të luftojë dhunën, thuhej në mesazhin e postuar online. Mbështetësit e opozitës kanë fajësuar Ennahda-n për vdekjen e Chokri Belaid.

Duke folur për BBC në gjuhën arabe pas varrimit, e veja e Belaid, Basma Khalfawi tha se do të ngrinte një padi ndaj liderit të partisë, Rachid Ghannouchi.

Nga ana e tij Ghannouchi ka dënuar vrasjen dhe ka mohuar çdo përfshirje të tij në të, duke fajësuar ata që qeveria i quan kundërshtarët e demokracisë.

Belaid, një avokat dhe një politikan laik, u qëllua nga një person i armatosur teksa shkonte në punë ditën e mërkurë. Një ditë para vrasjes ai kishte akuzuar partinë në pushtet se fshihej prapa sulmeve të opozitës.

Ennahda njoftoi anëtarët e saj në Facebook se mitingu i tyre ishte planifikuar për të shtunën, në formë marshimi përgjatë rrugës kryesore të kryeqytetit Tuniz.

Ennahda deklaroi gjithashtu se mbështetësit e saj do të luftojnë kundër dhunës politike, do të kërkojnë miratimin e ligjeve për të forcuar revolucionin e janarit 2011 dhe do të paralajmërojnë Francën që të mos ndërhyjë në punët e brendshme të shtetit tunizian. 

Top Channel