
Super-stuhija e dëborës që ka goditur Shtetet e Bashkuara ka sjellë paralizimin e zonave veri-lindore dhe në lindje të Kanadasë, duke lënë pa energji elektrike miliona shtëpi.
Erëra të forta dhe ngrica kanë boshatisur qendrën e Bostonit dhe guvernatori i Masaçusets, Deval Patrick ka ndaluar trafikun rrugor që nuk është i nevojshëm.
Miliona njerëz në Nju Inglend janë paralajmëruar që të qëndrojnë në banesat e tyre dhe aeroportet janë mbyllur. Shumë zona ndodhen nën 60 centimetra dëborë dhe borë më e dendur pritet të bjerë.
Paralajmërimet për ngrica kanë hyrë në fuqi kryesisht për pjesën bregdetare të veri-lindjes së Shteteve të Bashkuara, nga Njuarku, Nju Xhersi deri në Mein.
Parashikuesit e motit kanë deklaruar se stuhija, që filloi ditën e premte, mund të shkojë deri në 90 centimetra thellësi në disa zona të vendit.
Njerëzit janë paralajmëruar më herët që të furnizohen me ushqime dhe nevoja të tjera bazë, pasi stuhija ka prekur 25 milionë persona në rajon.
Mbi 600 mijë shtëpi dhe zyra kompanish private kanë mbetur pa energji në Masaçusets, Rod Ajlend dhe Konektikat. Rajoni Financiar i Bostonit mbeti i shkretë që në orët e para të së shtunës, pasi shumë rrugë të tij u mbyllën.
“Kjo është një stuhi me përmasa të mëdha. Mos dilni në rrugë dhe rrini në shtëpi”, deklaroi kryetari i bashkisë së Bostonit, Thomas Menino.
Top Channel