Qindra shqiptarë në Shkup protestuan kundër largimit të lapidarit të UCPMB-së në Preshevë, muajin e kaluar.

Marshi protestues ishte parashikuar të ndalonte para ambasadës serbe në Shkup, por policia maqedonase ka ndaluar demonstruesit rreth 300 m larg saj.

Studentët e Universitetit Shtetëror të Tetovës kërkuan mbikqyrje ndërkombëtare për Luginën e Preshevës, pasi vlerësojnë se shqiptarët atje janë vazhdimisht të kërcënuar nga pushteti serb.

“Konstatojmë se atje nuk ka siguri. Nga ana e organizuesve të kësaj proteste, kërkojmë mbikqyrje ndërkombëtare dhe veprim të koordinuar të tre qeverive, të Kosovës, Shqipërisë dhe Serbisë. Gjithçka që mund të ndodhë, përgjegjësia bie mbi këto”, tha Shaban Arsllani, kryetar i Kuvendit studentor të USHT-së.

Veteranët e UÇK-së në Maqedoni thanë se sjellja e qeverisë së Beogradit, ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, është e njëjtë sikurse në kohën e Millosheviçit.

“Mos të ndërmerret asnjë hap i pamatur, sepse nuk do të ketë kufi midis nesh, që ne të arrijmë jo vetëm aty, por edhe në Vranjë dhe kudo, për t’i mbrojtur vëllezërit tanë, që e duan lirinë dhe ardhmërinë në viset tona”, tha Fazli Veliu, SHVL-UÇK.

“Protesta e sotme është në funksion të asaj që, t’i bëhet me dije jo vetëm Beogradit, por gjithë botës, se shqiptarët ngrenë zërin ndaj çdo diskriminimi, sidomos në Serbi, e cila vazhdon të ndjekë politikën e Millosheviçit”, tha Hysni Shaqiri, ish-komandant i UÇK-së.

Protesta, e cila ishte e siguruar nga forca të shumta policore, kaloi pa incidente.

Top Channel