
Izraelitët dhe palestinezët mirepritën lajmin për vizitën e planifikuar të presidentit amerikan, Barack Obama, çka sipas tyre është shenjë se Lindja e Mesme po shndërrohet në përparësi të politikës së jashtme gjatë mandatit të dytë.
Shtëpia e Bardhë nuk ka publikuar një datë për vizitën, por mediat izraelite thanë se ajo me shumë gjasa do të kryhet në fund të muajit mars, pas afatit të caktuar për formimin e koalicionit qeverisës që do të drejtohet nga Benjamin Netanyahu.
Kjo do të jetë vizita e parë e shefit të Shtepisë së Bardhe në rajon gjatë presidencës së tij. Ai vizitoi Izraelin në vitin 2008, kur zhvillonte fushatë për zgjedhjet.
I gjithë fokusi i rrugëtimit të tij, sipas “Washington Post”, do të jetë ndreqja e marrëdhenieve me Netanyahun, nje aleat kyç me të cilin presidenti është përplasur jo pak herë.
Por, edhe vetë një hap i tillë mund të jetë thelbësor për rivendosjen e proçesit të paqes në rrugën e duhur.
Vizitën Obamës në Izrael e konfirmoi më herët gjatë javës zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, pasi gazetarët e pyetën rreth njoftimeve të përcjella së pari nga media izraelite.
Carney sqaroi se Obama dhe Netanyahu kanë diskutuar mbi një vizitë të tillë gjatë një bisede telefonike muajin e kaluar.
Top Channel