Kili, kërkohet zhvarrimi i Pablo Nerudës

09/02/2013 16:25

Një gjyqtar në Kili ka urdhëruar zhvarrosjen e mbetjeve trupore të poetit të famshëm Pablo Neruda, si pjesë e një hetimi mbi vdekjen e tij në vitin 1973.

Fituesi i Çmimit Nobël vdiq 12 ditë pas një grushti ushtarak shteti që zëvendësoi presidentin socialist Salvador Allende me gjeneralin Augusto Pinochet.

Familja e poetit i ka qëndruar gjithmonë variantit se ai vdiq në një klinikë të kryeqytetit Santiago për shkak të kancerit të avancuar në prostat, në moshën 69-vjeçare.

Autoritetet e Kilit nisën të hetonin vdekjen e tij në vitin 2011, kur filluan të qarkullonin dhe zëra se ai mund të ishte helmuar. Data e zhvarrosjes nuk është caktuar ende.

Trupi i poetit është varrosur përkrah atij të bashkëshortes së tij Matilde Urrutia në Isla Negra, 120 kilometra në perëndim të Santiagos.

Neruda ishte një komunist dhe një mik i afërt i presidentit Salvador Allende. Fondacioni që ruan trashëgiminë e tij thotë se Pablo vdiq si pasojë e kancerit. Në një deklaratë për shtyp, ai thotë se është informuar nga autoritetet për planin e zhvarrosjes pak ditë më parë.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se, fondacioni pret që operacioni të kryhet me respektin dhe kujdesin më maksimal dhe që të zhdukë çdo dyshim që ekziston.

Hetimet arritën në këtë pikë pasi shoferi i dikurshëm i zotit Neruda, Manuel Araya Osorio tha se agjentët i injektuan helm poetit në klinikën ku ishte shtruar me urdhër të gjeneralit Pinochet.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta