Kerry fton Iranin për bisedime

09/02/2013 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry tha se planet e fundit bërthamore të Iranit janë shqetësuese, por nënvizoi se “dritarja e diplomacisë” mbetet ende e hapur.
Ai e bëri këtë deklaratë gjatë takimit me ministrin e Jashtëm te Kanadasë, John Berd në Uashington.

“Dua t’i them Iranit se dritarja e diplomacisë është e hapur dhe ne kemi pranuar të takojmë sërish Iranin brenda dy javëve në Kazakistan. Ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë, zgjidhja e fundit i takon Iranit. Bashkësia ndërkombëtare është gati të përgjigjet nëse Irani vjen i përgatitur për të folur për thelbin dhe për të paraqitur shqetësimet. Ata duhet të jenë më të qartë për programin bërthamor. Nëse jo, atëherë do të zgjedhin të vetëizolohen”, deklaroi Kerry.

Fuqitë e mëdha, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Kina, Franca, Rusia dhe Gjermania, më 26 shkurt do të takohen me negociatorët iranianë në Almati të Kazakistanit për t’u drejtuar pyetje rreth programit bërthamor.

SHBA dhe aleatët dyshojnë se Irani do ta përdorë programin civil si një mburojë për të zhvilluar armën bërthamore. Irani e mohon këtë, duke thënë se programi i tij ka qëllime paqësore si energjia dhe mjekësia.

Kerry shprehu shqetësimet për  planet e fundit të Teheranit për të vënë në punë makinat e avancuara për pasurimin e uraniumit, çka s’bën gjë tjetër veçse shton frikën e Perëndimit.

Takimi me ministrin e Jashtëm kanadez, John Berd ishte i pari i John Kerry pas marrjes së detyrës me 1 shkurt, duke zëvendësuar në këtë post ish-sekretaren Hillary Clinton.

Top Channel