Një ish-oficer i zbulimit në marinën kanadeze është dënuar me 20 vite burg, pasi u shpall fajtor për shitjen e informacioneve sekrete të NATO-s te Rusia. Nëntogeri Jeffrey Delisle, i cili u arrestua janarin e vitit të kaluar, u gjobit gjithashtu me 111 mijë dollarë kanadez.
Ai pranoi se i kishte dërguar Rusisë nëpërmjet e-mail-it të dhëna sekrete të shkëmbyera mes Kanadasë, SHBA-ve dhe aleatëve të tjerë të NATO-s, për 4 vite me radhë.
Delisle është kanadezi i parë që dënohet nga Akti i Sigurisë së Informacionit. Akti kaloi në parlament pas sulmeve të shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara. Delisle u shpall fajtor për shpërndarjen e informacioneve të klasifikuara drejt “entiteteve të huaja”, nga korriku 2007 deri në janar 2012.
Ai ka punuar objektet ushtarake detare të sigurisë së lartë në Kanada, ku ai kishte akses në sistemet e shërbimeve sekrete mes vendeve si SHBA dhe Britania e Madhe.
Për afro 4 vite, ai kopjonte informacionet sekrete në mjete memorizues dhe i shpërndante me bashkëpunuesit e tij në Moskë, në këmbim të pagesës mujore prej 3 mijë dollarë.
41-vjeçari kishte kryer tradhëtinë “me ftohtësi dhe racionalitet”, kur kishte hyrë në ambasadën ruse në Ottaëa në 2007, për të ofruar vullnetarisht shërbimet e tij të spiunazhit, bëri të ditur gjykatësi Patrick Curran gjatë së premtes. Dëshmitarë në prokurori thanë se Delisle rrezikonte edhe agjentët e tjerë të inteligjencës kanadeze.
Çështja shkaktoi një shqetësim të madh në Kanada, pasi ushtria e saj dhe qeveria nuk mundnin të kuptonin se si ish-oficeri i marinës arriti të përdorte metoda kaq primitive, duke kopjuar dhe përcjellë materiale, dhe mbeti i pazbuluar për kaq shumë kohë.
Top Channel