
Denzel Washington luan rolin e një piloti të dehur, i cili kthehet për të punuar në zyrën e tij, pas një nate festimesh të shfrenuara.
Por, ajo që duket si një subjekt i ekzagjeruar i Hollywood-it, është kthyer në realitet në aeroportin Heathrow të Londrës, këtë javë, kur një fluturim u anulua, për shkak se piloti besohej të kishte qenë i dehur.
Kompania ajrore rumune, Tarom, ndaloi fluturimin nga Londra për në Bukuresht, pasi testimet treguan se piloti ishte i intoksikuar.
Kushtet e pilotit u vunë re gjatë kontrollit rutinë, ndërsa kompania njoftoi se “do ta shkarkonte menjëherë atë”, nëse rezultatet provojnë se punonjësi i saj ishte nën influencën e alkoolit.
Autoritetet britanike refuzuan lejen ndaj pilotit për t’u ngjitur në Airbus A318, e më pas për të nisur fluturimin nga Heathrow, mëngjesin e së mërkurës.
Kompania shtetërore rumune bëri të ditur se fluturimi është anuluar, pasi piloti nuk ishte “psikologjikisht i gatshëm për të drejtuar”.
Në një deklaratë të tyren shkruhej: “Paaftësia e tij mjekësore u zbulua në Londër, gjatë një kontrolli rutinë. Piloti është rikthyer në shtëpi të enjten, ndërsa ne e kemi pezulluar nga aktiviteti deri kur hetimet të finalizohen. Nëse rezultatet zyrtare, që do të marrim, do të tregojnë pozitive për alkoolin, atëherë do ta shkarkojmë menjëherë atë”.
Rumania ka premtuar se do të shesë disa prej kompanive shtetërore, pas një marrëveshjeje me Fondin Monetar Ndërkombëtar, përfshi edhe 20% të Tarom, që operon me 23 avionë prej gushtit 2012.
Top Channel