
Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Volker Halbauer ka vizituar pasditen e së shtunës manastirin e Deçanit, në rajonin e Pejës.
Vizita e oficerit të lartë është zhvilluar në një kohë kur tensionet në këtë lokalitet mbeten të larta pas manifestimit të banorëve shqiptarë.
Këta të fundit kërkojnë që t’i kthehen shtetit kosovar mbi 20 hektarë tokë që janë pronë e manastirit ortodoks serb.
Në janar, pjesëtarë të shoqërisë civile, të mbështetur nga subjektet politike në Deçan, protestuan në qendër të qytetit për të shprehur pakënaqësinë ndaj vendimit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.
Ata u shprehën se, përmes këtij vendimi 23 hektarë tokë që ishin pjesë e dy ndërmarrjeve shoqërore, “Apiko” dhe “Iliria”, u lejuan që t’i jepeshin manastirit të Deçanit.
Këto prona, siç thanë organizatorët e protestës, i janë dhuruar manastirit serb pak para fillimit të luftës në Kosovë, në vitin 1997, nën masa të dhunshme nga regjimi i Millosheviçit.
Kundër vendimit të Dhomës së Posacme të Gjykatës Supreme u rreshtuan edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e opozitës. Armend Zemaj i Lidhjes Demokratike te kosovës dhe Albin Kurti i lëvizjes Vetëvendosje morën pjesë në protestë.
Top Channel