
Ministrja gjermane e Arsimit, Annette Schavan ka dhënë dorëheqjen pasi universiteti i hoqi asaj doktoratën për shkak të plagjiaturës.
Universiteti Heinrich Heine në Duseldorf votoi të martën e kaluar për heqjen e doktoratës ministres, pas një rishikimi të dokumentit në fjalë.
Zonja Schavan, një aleate e afërt e kancelares Angela Merkel, deklaroi se do të luftojë kundër vendimit të universitetit.
Duke iu drejtuar kancelares Merkel me fjalët “E dashur Angela”, zonja Schavan e falenderoi atë për miqësinë e saj.
“Mendoj se sot është dita e duhur që unë të largohen nga posti i ministres dhe të përqendrohem në detyrën time si anëtare e Parlamentit”, deklaroi 57-vjeçarja.
“Unë nuk do ta pranoj vendimin e universitetit dhe do ta kundërshtoj atë me veprime ligjore. Unë nuk kam kopjuar kurrë dhe akuzat më kanë prekur shumë”, shtoi ajo.
Johanna Wanka, ministre e Kulturës dhe Shkencës e shtetit të Saksonisë së Ulët, është caktuar si pasardhëse e zonjës Schavan.
Një pjesë e detyrës së saj do t’i përkushtohet rishikimit të situatës në universitetet gjermane, ku disa herë janë konstatuar raste plagjiature dhe korrupsioni.
Në vitin 2011, ishte ministri i Mbrojtjes, Karl Theodor zu Guttenberg që dha dorëheqjen pas akuzave se kishte kopjuar temën dhe përmbajtjen e doktoratës së tij.
Top Channel