
Një avion u rrëzua pak momente pasi ishte nisur nga aeroporti Sharlëroi, në Bruksel. Disa probleme shqetësuan pilotin, i cili u përpoq të bënte një manovër për t’u rikthyer.
Por gjatë uljes së emergjencës, avioni i tipit “Cesna” u përplas me njërën anë të pistës. Të paktën pesë persona humbën jetën, të gjithë nga lagjia e Uklës në Bruksel. Mes tyre kishte dhe tre fëmijë.
Aeroporti i Sharlëroit, që ndodhet 50 kilometra në jug të kryeqytetit belg, është një prej kryesorëve të kompanisë “Ryanair”.
Mediat belge raportuan se pesë viktimat në bord ishin nga e njëjta familje, përkatësisht tre fëmijët, nëna e tyre dhe gjyshi.
Në faqen e tij në Twitter, kryeministri belg Elio di Rupo i shprehu ngushëllimet e tij familjarëve të viktimave.
Kushtet e motit në momentin kur ndodhi aksidenti raportohet të kenë qenë të këqija, me një mjegull të ftohtë që shkaktonte vështirësi.
Top Channel