
Tunizia varros të premten Chokri Belaid, një ndër liderët e opozitës i ekzekutuar ditën e mërkurë në dalje të banesës së tij në Tuniz, ndërsa vendi rrezikon të përfshihet nga të tjera protesta pas ceremonisë mortore.
Vrasja e Belaid, i njohur për qendrimet e tij sekulariste kundër qeverisë së partisë islamike Ennahda, shkaktoi protesta të dhunshme në vend.
Opozita akuzon partinë islamike si organizatorja e vrasjes së tij, ndërkohë që ata që dy vite më parë dolën në rrugët e vendit për të rrëzuar regjimin e korruptuar të ish-presidentit Zine al-Abedine Ben Ali, dolën sërish në protesta duke akuzuar Ennahda-n për vjedhje të revolucionit të tyre.
Përballë protestave të forta thuajse në të gjithë vendin, kryeministri tunizian, në përpjekje për të ulur tensionit kërkoi ngritjen e një qeverie teknike të bashkimit kombëtar. Lëvizja u mirëprit nga shumë tunizianë, por partia e kryeministrit refuzoi këtë kërkesë dhe apeloi për ndaljen e protestave.
Kritikët e qeverisë e akuzojnë atë se përgjatë muajve të fundit ka lejuar ultra-konservatorët islamikë të vendosin rregullat e tyre në drejtimin e Tunizisë, vend i cili deri më sot është parë si një bastion i sekularizmit në botën arabe.
Top Channel