
Një shëprthim tjetër ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Mitrovicë. Policia njofton se një mjet shpërthyes është vendosur nën një automjet, pronë e një qytetari serb 38-vjeçar, i cili u bë kështu për herë të dytë objekt sulmi.
Rreth orës 02:35 një banor, punëtor i furrës së bukës “Mini Pani”, ka njoftuar për shpërthimin e fuqishëm të regjistruar në automjetin e parkuar para dyqanit në rrugën “Sutjeska”, në veri të Mitrovicës.
Vetura tip “Pikap Diabllo”, e cila ishte objekt i sulmit, është në pronësi të pronarit të furrës “Mini Pani”, dyqan ky që në janar të këtij viti ishte sulmuar nga persona të armatosur.
Në bazë të raporteve të para policore mësohet se mjeti shpërthyes është vendosur nën automjet, në pjesën e parme të tij, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturë, si dhe në një lokal aty pranë, xhamat e të cilit janë dëmtuar. Për fat të mirë nuk është raportuar për persona të lënduar.
Sigurimi i vendit të ngjarjes është bërë fillimisht nga njësitë e stacionit verior, ndërsa mbikëqyrjen dhe mbledhjen e provave materiale e kanë bërë njësitë përkatëse hetimore të drejtorisë rajonale në Mitrovicë.
Rasti është regjistruar si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa prokurori i shtetit në prokurorinë themelore në Mitrovicë është informuar lidhur me detajet e rastit të regjistruar.
Top Channel