
Qeveria ukraine refuzon të paguajë një faturë prej shtatë miliardë dollarësh, për llogari të kompanisë ruse të gazit “Gazprom”, në një çështje që rrezikon të përkeqësojë drastikisht marrëdhëniet midis Moskës dhe Kievit.
Ministri ukrainas i Energjisë, Eduard Stavitsky, deklaroi ditën e premte se nuk ka “baza ligjore” që vendi i tij të paguajë për një pjesë të gazit që firmosi për ta importuar, por që nuk e përdori.
Ukraina deklaron se përdori vetëm 27 miliardë metra kub gaz gjatë 2012-s, ndonëse në kontratë parashikohej përdorimi dhe pagesa e 52 miliardë metrave kubë.
Një faturë prej shtatë miliardë dollarësh është e barazvlefshme me 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Ukrainës.
Sipas analistëve, kjo faturë që vjen për financat e rënduara ukrainase si një “bombë me sahat”, është pjesë e politikës së presionit të Moskës, për të bërë që Ukraina të pranojë heqjen e tarifave doganore dhe disa lëshime të tjera ekonomike ndaj Rusisë.
Gazi është shndërruar në një prej çështjeve me më shumë vëmendje publike në Ukrainë, që prej burgosjes së ish-kryeministres Yulia Tymoshenko, për “shpërdorin detyre” dhe “tejkalim të kompetencave”, në firmosjen e një kontrate me “Gazprom”-in në 2009-n.
Mosmarrëveshjet gjatë atij viti për tarifën që Ukraina duhet të paguante për gazin bënë që Rusia të ndërpriste për disa javë furnizimin për vendin, gjatë muajve të dimrit të acartë ukrainas.
Top Channel