Qindra qytetarë të Kosovës protestuan për të dytën ditë me radhë para ndërtesës së Korporatës Energjetike të Kosovës.

Ata kërkuan nga KEK-u që të mos i rrisë tarifat e energjisë elektrike në muajt e ardhshëm, ashtu siç është planifikuar, si dhe të mos i shkëpusë nga rrjeti elektrik qytetarët të cilët nuk e paguajnë faturën e janarit.

Kjo me arsyetimin se faturat kanë ardhur dyfish më të larta dhe qytetarëve u bie të paguajnë për diçka që nuk e kanë shpenzuar.

Në këtë kuadër protestuesit i bënë thirrje po kështu prokurorisë së shtetit ë Kosovës që të nisë hetimet dhe t’i informojë qytetarët për rezultatin e tyre.

Nga ana tjetër, Korporata Energjetike e Kosoves njoftoi se ka shumëfishuar numrin e punëtoreve në sektorin e pranimit të ankesave dhe shqyrtimit të tyre në shtatë distriktet e korporatës.

Në këtë mënyrë KEK-u fton të gjithë qytetarët që t’u drejtohen zyrës së ankesave për të zbuluar nëse u është bërë padrejtësi.

Gjatë periudhës së ankimimit korporata njofton se do të ketë kujdes dhe konsideratë të veçantë ndaj shkëputjes së konsumatorëve nga rrjeti elektrik.

Këtu, përjashtim të përkohshëm bëjnë rastet e kontestimit të faturave përmes ankesave individuale deri në zgjidhjen e kontestit. Sidoqë të jetë, faturat e konsumit aktual duhen paguar rregullisht.

Pakënaqësia e qytetarëve për këtë çështje nisi në ditët e para të shkurtit, kur zyrtarët e KEK-ut bënë shpërndarjen e faturave për muajin janar.

Revolta fillimisht nisi në rrjetet sociale për të përfunduar në rrugë për të kërkuar sqarim nga korporata. Këshilli organizativ i protestës paralajmëroi se protesta do të vazhdojë të hënën dhe nuk do të përfundojë derisa korporata të marrë parasysh kërkesat e qytetarëve.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta