Vetëm një ditë pasi dështoi seanca e Kuvendit për shkak të mungesës së kuorumit pasi opozita braktisi punimet, është mbledhur Kryesia e Kuvendit dhe është gjetur një formulë për të kapërcyer këtë situatë.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi tha se është rënë dakord që seanca e papërfunduar të mbahet më 21 shkurt dhe nëse ka numër të nevojshëm të deputetëve do të proçedohet, në të kundërtën propozimet për anëtar joekzekutiv të Bordit të Bankës Qëndrore të Kosovës do t’i kthehen propozuesit.

Të enjten, tri partitë opozitare, LDK, Vetëvendosje dhe AAK, braktisën sallën në momentin kur deputetët shumicë nuk mbështetën një propozim të tyre që Kuvendi të mos votojë për një anëtar joekzekutiv të Bordit të BQK-së dhe që ky institucion të rishpallë konkursin.

“Seanca e papërfunduar do të tentohet të mbahet me 21 shkurt. Nëse edhe këtë herë nuk arrihet të zgjidhet kandidati, atëherë emërimi do t’i kthehet propozuesit dhe përsëritet krejt proçedura”, deklaroi Krasniqi.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës ka përsëritur se do të veprojë ngjashëm edhe në seancën e 21 shkurtit, ndërsa ka paralajmëruar se nuk do të votojë as për ish-ministrin Bedri Hamza për guvernator të Bankës Qëndrore, kurdo që do të mbahet seanca.

“Kur do që të mbahet seanca, qëndrimi ynë nuk do të ndryshojë nëse proçedohet me këtë listë dhe me këtë emra”, tha Beqiri.

Pas largimit të deputetëve të opozitës nga senca plenare e së enjtes, vetëm 53 deputetë qëndruan në sallë por kjo nuk përbënte numrin e nevojshëm të deputetëve për të vazhduar me punimet.

I pyetur nëse PDK nuk ka numrat në Kuvend, apo munguan deputetët e saj, nënkryetari i grupit parlamentar të këtij subjekti, Elmi Reçica thotë se disa prej deputetëve janë në vizitë jashtë vendit dhe se më 21 shkurt kuorumi do të arrihet.

“Sot është vendosur që kjo çështje të jetë në rend dite më 21 shkurt dhe nëse nuk ka vota atëherë ajo do të kthehet mbrapsht”, u shpreh Reçica.

Sidoqoftë, gjatë mbledhjes së Kryesisë është vendosur që më 17 shkurt, në ora 15, Kuvendi të mbajë një seancë solemne saktësisht 5 vite pas shpalljes së Pavarësisë së vendit.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta