
Pas bisedimeve që kanë zgjatur deri në mëngjesin e së premtes, liderët e Bashkimit Europian janë pranë arritjes së një marrëveshje për buxhetin e vitit 2014-2020.
Zyrtarët nga Brukseli deklaruan se në këto bisedime është bërë mjaft progres, por sërish ka disa pengesa të tjera që duhen kapërcyer. Vendet e BE-së po shqyrtojnë propozimin për 960 miliard euro shpenzime përgjatë 6 viteve, nga 2014 deri në 2020.
Propozimi është më i vogël se ai i hedhur në tryezë në samitin e muajit nëntor që kërkonte 972 miliard euro. Në atë samit Britania e Madhe kërkoi shkurtime drastike të shpenzimeve të unionit në mënyrë që të arrihet një marrëveshje.
Edhe drafti i ri kërcënohet nga qendrimi i Londrës. Kryeministri Cameron deklaroi të enjten se nuk do të pranonte asnjë propozim që nuk parashikonte shkurtime të mëtejshme të shpenzimeve financiare.
“Shpenzimet e propozuara për 2014-2020 duhet të reduktohen më tej. Nëse kjo s’ndodh, atëherë s’ka marrëveshje”, tha Cameron.
Megjithatë, një zyrtar i BE-së u deklarua optimist për arritjen e një marrëveshje ditën e premte. “Jemi të ndërgjegjshëm se është bërë një hap i madh për gjetjen e kompromisit. Marrëveshja nuk është finalizuar akoma, por kemi siguri që kjo do të ndodhë sot”, citohet ai nga agjencia Reuters.
Në praktikën e vendimmarrjes së Bashkimit Europian, cdo vend anëtar mund të vendosë veton dhe të bllokojë buxhetin dhe kjo i bën bisedimet akoma më të vështira, duke patur parasysh faktin që duhet të bihet dakort mes 27 vendeve anëtare të unionit.
Top Channel