Tunizi, përshkallëzohet kriza

07/02/2013 14:55

Kriza politike në Tunizi po thellohet pas vrasjes së një lideri të opozitës më herët gjatë javës. Vrasja e politikanit anti-Islam Chokri Belaid shkaktoi protesta të dhunshme.

Kryeministri atëherë njoftoi planet për një qeveri teknokrate. Por partia në pushtet Ennahda refuzoi lëvizjen, duke thënë se Hamadi Jebali nuk kërkoi opinionin e partisë së tij.

Ndërkohë, gjatë së enjtes, policia ka qëlluar gaz lotësjellës për të shpërndarë protestuesit në kryeqytetin Tuniz dhe në qytetin qendror të Gafsës, raportojnë mediat e huaja.

Protestuesit në Gafsa, që po vëzhgonin një funeral simbolik për Chokri Belaid, janë mbledhur jashtë zyrës së guvernatorit dhe kanë hedhur gurë e bomba molotov ndaj policisë.

Në një zhvillim tjetër, avokatë dhe gjyqtarë në Tunizi kanë nisur një grevë dyditore në shenjë proteste ndaj vrasjes së të mërkurës.

Më herët, katër grupe opozitare, mes të cilëve Fronti Popullor i zotit Belaid, njoftuan se po tërhiqeshin nga asambleja kombëtare kushtetuese gjithashtu në shenjë proteste.

Duke reaguar ndaj përshkallëzimit të krizës, qeveria franceze ka njoftuar duke thënë se do të mbyllë të gjitha shkollat në Tuniz gjatë së premtes dhe së shtunës.

Nga ana e saj, partia islamike Ennahda mohon deklaratat e opozitës se ishte ajo mbrapa vrasjes së politikanit në kryeqytetin e vendit.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta