Nga Beogradi kanë ardhur reagimet e para ndaj takimit të së mërkurës mes presidentëve Atifete Jahjaga dhe Tomisllav Nikoliç.

Kryeministri Ivica Daçiç ka deklaruar se takimi është një hap përpara dhe pjesë e rëndësishme e tërë proçesit të bisedimeve.

“Ne kemi një politikë të përbashkët, e cila para së gjithash bazohet në mbrojtjen e interesave tona kombëtare dhe shtetërorë përmes dialogut”, ka thënë Daçiç për mediat serbe.

Ai ka saktësuar se dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të vazhdojë në datat 19 dhe 20 shkurt, kur do të bisedohet për tema jetike.

“Temë e dialogut do të jenë ato që ata quajnë institucione paralele, apo struktura paralele në veri”, është shprehur Daçiç.

Koshtunica: Daçiç legalizoi pavarësinë e Kosovës

Ndërkohë, ish-kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica është shprehur se, në takimin e mbrëmshëm me presidenten Jahjaga, Nikoliç legalizoi pavarësinë e Kosovës.

“Marrëveshjet e aritura para këtij takimi dhe ato që do të arrihen pas këtij takimi janë shumë të pafavorshme për Serbinë”, ka deklaruar Koshtunica.

Ai ka kërkuar dorëheqjen e kryemisnitrit Daçiç, i cili sipas tij, hap pas hapi në dialogun me Thaçin po çimenton kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç kanë zhvilluar deri tani katër takime, nën ndërmjetësimin e shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton.

Në një fjalim të mbajtur pak ditë më parë në Konferencën e Mynihut mbi Sigurinë, zonja Ashton i cilësoi dy javët e ardhshme kyçe për dialogun e Brukselit.

“Unë dua të çmoj trimërinë e atyre në Prishtinë dhe në Beograd që kanë lënë mënjanë historinë për t’u bashkuar. Dua t’ju them të gjithëve se dy javët e ardhshme do të jenë thelbësore”, iu drejtua Ashton të pranishmëve në konferencë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta