Morsi: Fund krizës siriane

07/02/2013 01:51

Presidenti i Egjiptit, Mohammed Morsi, i bëri thirrje Damaskut të nxjerrë mësime  nga historia dhe të vendosë interesat e veta mbi ato të vendit. Ai mbajti fjalimin në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, me 57 anëtarë, që zhvillohet në Kajro.

“Egjipti është ekstremisht i gatshëm t’i japë fund krizës siriane, sa më shpejt të jetë e mundur, për të kursyer gjakderdhjen e popullit dhe për të ruajtur tokën e tij. Qeveria që drejton vendin duhet t’i kthehet historisë dhe të nxjerrë mësime; populli është ai që mbetet, ndërsa ata që vendosin interesat e tyre përpara interesave të popullit, duhet të ikin”.

Morsi u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të organizatës, të mbështesin përpjekjet e opozitës siriane për t’u bashkuar dhe për të sjellë ndryshimin. Më herët, presidenti i Iranit, Ahmadinexhad, u tha gazetarëve tha se nuk do të ketë zgjidhje ushtarake në Siri.

Ai u shpreh se ishte i inkurajuar nga fakti se, qeveria siriane dhe opozita po ecin drejt negociatave, për t’i dhënë fund konfliktit, që deri tani numëron mbi 60 mijë viktima.

Kreu i Koalicionit Kombëtar të Opozitës Siriane, Moaz Alkhatib, të dielën u ofrua për të negociuar me zëvendësin e Bashar Al Asadit, Faruk Al Shara. Deri tani nuk ka patur asnjë përgjigje nga Damasku.

Projekt-komunikata e ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik; të cilën “Reuters” mundi ta sigurojë; fajëson qeverinë e Asadit për kasaphanën në vend dhe i kërkuan asaj të nisë bisedimet, për tranzicionin politik.

Diplomatët thanë se Irani ka kundërshtuar disa prej fjalëve të përdorura dhe dokumenti përfundimtar mund të pësojë ndryshime. Vizita e Ahmadinexhad në Egjipt është e para e një presidenti iranian prej vitit 1979, pas ftohjes së marrëdhënieve mes dy vendeve.

Top Channel