Iran, Ajatollahu refuzon bisedimet me SHBA

07/02/2013 00:00

Lideri Suprem iranian, Ajatollahu Ali Khamenei refuzoi ofertën e Shteteve të Bashkuara për bisedime direkte për programin bërthamor të Iranit.

Gjatë një fjalimi, që më vonë u shpërnda në faqet iraniane të internetit, Ajatollahu Khamenei e cilëson si hipokrizi propozimin amerikan. Uashingtoni shtrin njërën dorë për bisedime, thotë ai, ndërkohë që me tjetrën na ka drejtuar një armë.

Propozimi për bisedime direkte mes Uashingtonit dhe Teheranit duke shmangur të gjithë faktorët e tjerë ndërkombëtarë u bë nga zv.presidenti amerikan, Joe Biden ditën e shtunë. Ai propozoi që këto bisedime të mbaheshin në fund të këtij muaji.

Megjithë propozimin, të mërkurën Shtetet e Bashkuara rritën dozën e sanksioneve ndaj Republikës Islamike. Masat e reja shtrënguese pamundësojnë Iranin që të tërheqë paratë e përfituara nga shitja e naftës dhe gazit tek blerësit potencialë, sic është India dhe Kina. Nën këto sanksione, paratë mund të përdoren nga Irani vetëm për blerjen e të mirave nga këto vende.

Prej vitesh Republika Islamike vuan pasojat e sanksioneve të ashpra ndërkombëtare për shkak të programit bërthamor, që ndërkombëtarët thonë se është për qëllime ushtarake, ndërsa Teherani mbrohet duke thënë se është për qëllime paqësore.

Top Channel