Tunizi, qeveri teknokratësh

06/02/2013 00:00

Tunizia do të formojë një qeveri teknokratësh, e cila do të drejtojë vendin deri në zgjedhjet e ardhshme.

Kryeministri Hamadi Jebali e bëri deklaratën mbrëmjen e së mërkurës, pas vrasjes së Chokri Belaid, një prej udhëheqësve të opozitës, dhe protestave që u zhvilluan në disa qytete të vendit.

Gjatë një fjalimi në televizion, ai shpalli vendimin për të formuar një qeveri “bashkëkombasish të aftë, pa përkatësi politike”. Ministrat e rinj do të kenë mandat të kufizuar, për të drejtuar vendin deri në zgjedhjet, që mund të zhvillohen brenda një kohe të shkurtër, siç tha kryeministri i vendit.

Protestuesve të indinjuar nga vrasja e politikanit, që dolën në disa qytete të vendit, policia iu kundërpërgjigj me gaz lotsjellës. Fronti Popullor, koalicioni i grupeve opozitare, ku bënte pjesë edhe Belaid, bëri thirrje për zhvillimin e një greve të përgjithshme, kundër vrasjes së tij.

Presidenti Moncef Marzuki ndërpreu vizitën në Francë dhe anuloi udhëtimin në Egjipt, për t’u kthyer në atdhe. Chokri Belaid u qëllua me armë në kokë dhe qafë, në Tuniz, kryeqytetin e vendit.

Një avokat i të drejtave të njeriut dhe një ateist, ai ishte një prej kundërshtarëve të qeverisë, e cila mori drejtimin e vendit pas rrëzimit të Presidentit Zine Al Abidine Ben Ali.

Ekzekutimi i tij është vrasja e parë politike në Tunizi, pas kryengritjes së janarit të vitit 2011, zanafilla e asaj që do të njihej si “pranvera arabe”.

Përkrahësit e opozitës akuzuan partinë islamike “Ennahada”, në pushtet, e shënjestruar shpesh nga Belaid. Por, lideri i kësaj, Rashid Ganushi, dënoi vrasjen, duke e cilësuar një akt të urryer.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA