
Qeveria e Maqedonisë pritet të pësojë riformatim javën e ardhshme. Një gjë të tillë e imponojnë zgjedhjet lokale të marsit, pasi dy anëtarë të kabinetit qeveritar, Teuta Arifi, zv-kryeministre për çështje europiane, dhe Nevzad Bejta, ministër i Pushtetit lokal, janë kandiduar në garën për kryetar komunash.
Dy ministrat e lartpërmendur, që janë kuadro të partisë shqiptare në pushtet BDI-së, gjatë kësaj jave pritet të japin dorëheqjen nga postet e tyre për t’u përkushtuar në garën zgjedhore.
Burime pranë qeverisë bëjnë të ditur se këto kuadro do të zëvendësohen në një mbledhje të qeverisë, që do të mbahet nga fundi i javës së ardhshme.
Si kandidatë të mundshëm, për t’i zëvendësuar këto vende bosh në partinë e Ahmetit, përmenden emrat e deputetes Ermira Mehmeti, ish-kryetarit të komunës së Tetovës, Azbi Lika, dhe Artan Grubit, shef i kabitetit të kryetarit të BDI-së.
Por, burime pranë partisë së Ali Ahmetit, nuk përjashtojnë mundësinë për këmbimin e posteve ministrore me partnerin maqedonas të koalicionit.
BDI mund të kërkojë nga kryeministri, që në vend të euro-integrimeve dhe pushtetit lokal, kuadrot e saj të drejtojnë ministrinë e Transportit dhe atë të Arsimit.
Partia e Ahmetit, në këtë mënyrë, synon të rrisë përfaqësimin e shqiptarëve në ministrinë e Transportit, ndërsa ministria e Arsimit i nevojitet për të zgjidhur problemet, me të cilat ballafaqohet arsimi shqip në Maqedoni.
Top Channel