
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, do të vizitojë Izraelin në muajin mars, në një vizitë gjatë së cilës ai do të rikonfirmojë mbështetjen e Uashingtonit për kabinetin e ri të kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Ishte ambasadori amerikan në Tel Aviv, Dan Shapiro, ai që konfirmoi lajmin.
Sipas tij, dialogu midis dy liderave do të përqendrohet tek “Irani, Siria dhe nevoja e vazhdimit të negociatave për vendosjen e një paqeje përfundimtare dhe të qëndrueshme midis Izraelit dhe Palestinës”.
I pyetur për krizën iraniane, ambasadori Shapiro theksoi: “Përsa kohë do të jetë e mundur të veprohet me metoda diplomatike, presione ekonomike dhe sanksione, aq më mirë. Megjithatë, ne kemi gati edhe një plan ushtarak”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli janë dy aleatë të afërt me njëri-tjetrin, duke ndarë qëndrime të njëjta për shumë çështje ndërkombëtare, por Obama dhe Netanyahu nuk kanë pasur gjithmonë një marrëdhënie të lehtë midis tyre.
Më parë gjatë 2012-s, Obama dha një koment me mikrofona ndezur, pa dijeninë e tij, mbi kryeministrin e Izraelit, të cilin e konsideronte “kokëmushkë” dhe “njeri të vështirë për të folur”, vlerësim që krijoi një konflikt personal midis dy liderave.
Top Channel