Qeveria greke ka shpallur mobilizim të përgjithshëm, prej orës gjashtë të mëngjesit të së mërkurës, për të gjithë marinarët, të cilët ndodhen në greva të vazhdueshme 24 orëshe, prej të enjtes së kaluar, dhe kishin vendosur që ta vazhdonin atë edhe për 48 orë të tjera.

Greva e tyre ka paralizuar jetën e banorëve të ishujve, kanë theksuar burime qeveritare, sipas të cilave janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë e dialogut me sindikatën e marinarëve, ndërsa ka filluar shpërndarja e fletëthirrjeve të mobilizimit të detyruar.

Nga ana e tyre, marinarët deklarojnë se do t’i lënë anijet të ankoruara në porte dhe se nuk do të tërhiqen pa u plotësuar kërkesat e tyre ekonomike, si dhe të drejtat e sigurimeve shoqërore që, sipas tyre, u ka cënuar qeveria me një projektligj të ri në kuadrin e masave antikrizë.

Vetëm disa ditë më parë, Athina zyrtare kishte shpallur mobilizim të përgjithshëm edhe për nënpunësit e Mjeteve të Shërbimit Publik, pas një greve të përgjithshme në këtë sektor.

Ndërkohë, gati për të mbyllur rrugët nacionale dhe autostradat janë edhe fermerët grekë, të cilët prej më se tre ditësh kanë nxjerrë traktorët e tyre në segmente kyçe, duke filluar të bllokojnë gradualisht qarkullimin, duke paralajmëruar qeverinë se në rast se nuk plotëson kërkesat e tyre ekonomike, vendi do të paralizohet.

Prej dy ditësh, në greva të vazhdueshme 24 orëshe ndodhen edhe të gjitha mediat shtetërore të vendit, me sindikatat e gazetarëve që kërkojnë nënshkrimin e kontratës së përgjithshme të punës, duke kundërshtuar masat e ashpra të qeverisë.

Grevat në sektorë të ndryshëm të vendit, përveç kostos së lartë për ekonominë e rrënuar të vendit, janë edhe një mesazh i qartë për qeverinë e koalicionit tri-partiak, se pakënaqësia sociale, për shkak të reduktimeve maksimale të të ardhurave dhe pensioneve, në masën e gjerë të popullit, po rritet gjithnjë e më shumë.

Goditja e fundit që kanë marrë grekët, në kuadrin e masave të ashpra financiare, është edhe taksa e re shumë e lartë, që do të përmbledhë të gjitha taksat mbi pasurinë e paluajtshme në Greqi.

Top Channel