Mali, Franca vret me qindra, në mars tërhiqet

06/02/2013 03:30

“Disa qindra” militantë islamikë janë vrarë, që kur Franca nisi sulmet në Mali, muajin e kaluar, bëri të ditur ministri francez i Mbrojtjes.

Jean-Yves Le Drian tha se ata janë vrarë nga sulmet ajrore dhe dyluftimet direkte me trupat ushtarake franceze.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm, Laurent Fabius, bëri të ditur se Franca mund të nisë tërheqjen e trupave të saj nga Mali në fillim të muajit mars.

Në një intervistë për një gazetë, ai tha se “nëse gjithçka shkon siç ishte planifikuar, numri i ushtarëve do të zvogëlohet”.

Franca ka rreth 4 mijë trupa në Mali dhe zyrtarë nga institucionet shumëpalëshe si dhe nga dhjetra vende janë mbledhur në një takim në Bruksel, për të diskutuar se si do t’i zëvendësojnë ata.

Ministri i Mbrojtjes tha se qyteti i fundit i rëndësishëm në veri të Malit, që ishte në duart e rebelëve, kaloi tashmë nën kontrollin e francezëve. Sulmet ajrore vazhdojnë ndaj vendeve, ku dyshohen se fshihen rebelët, në veri të qytetit.

Le Drian tha se trupat franceze kanë shkaktuar “dëmtime të mëdha ndaj grupeve terroriste xhihadiste”, duke theksuar se “disa qindra, një numër i konsiderueshëm” luftëtarësh islamikë janë vrarë.

Franca ka pësuar vetëm 1 humbje jete deri tani, një pilot helikopteri, që u vra në fillim të operacioneve. Le Drian tha gjithashtu se forcat maliane kanë burgosur shumë veta, “disa prej tyre” militantë të rangjeve të larta, të cilët do të duhet të “përgjigjen përpara gjykatave të Malit dhe drejtësisë ndërkombëtare”.

Top Channel