
Dy fëmijë të përkatësisë etnike serbe janë plagosur mbrëmjen e së hënës pas shpërthimit që ka ndodhur në lagjen e Boshnjakëve, që ndodhet në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës.
Fëmijët e plagosur janë nën moshën 10 vjeçare, dhe po trajtohen në qendrën shëndetësore në veri të Mitrovicës. Një serb është arrestuar pas plagosjes së dy fëmijëve, ndërsa Policia e Kosovës gjatë bastisjes ka gjetur në banesën e tij një bombë dore.
Pas këtyre incidenteve në këtë pjesë të Kosovës, ka reaguar Qeveria e Kosovës, e cila ka dënuar këto akte, dhe ka kërkuar angazhim të organave të rendit që të vihen para drejtësisë autorët e tyre.
Nëpërmjet një komunikate për media thuhet se Qeveria e Kosovës është duke e përcjell me vëmendje situatën në veri, ndërsa fton qytetarët për qetësi dhe maturI, si dhe të mos bien në ndikim dhe të bashkëpunojnë me grupet që po tentojnë të tensionojnë situatën në këtë pjesë të territorit të Kosovës. Në anën tjetër, në Komisionin Kuvendor për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikqyrje të FSK-së, është kërkuar që të Ministria e Brendshme, Policia e Kosovës dhe EULEX-i të raportojnë në këtë komision për ngjarjet e fundit.
“Dy tri ditët e fundit kemi sulme në veri të Mitrovicës, që tregon për një gjendje jo stabile në kuptimit të funksionimit si shtet, që po ndodhin raste të tilla”, deklaroi Ahmet Isufi, deputet i AAK-së.
“Fusha e bisedimeve që është duke u zhvilluar me Serbinë, veç aludon që mund të parashikohen ndodhi dhe incidente të tilla. Kisha propozuar si komision që të kërkojmë raport dhe informim jo vetëm nga MPB dhe policisë por dhe nga EULEX-i”, tha deputeti i PDK-së, Fatmir Xhelili.
Shpërthimi i së hënës mbrëma pasoi dy shpërthime të dy ditëve të fundit në veri të qytetit, të cilat për fat kaluan pa pasoja në njerëz.
Top Channel