Një avion privat rrëzohet në Brazil, humbin jetën në vend dy pilotët dhe dy biznesmenët që ishin në bord
Shpërthimi fatal në selinë qendrore të kompanisë shtetërore të naftës në Meksikë, “Pemex”, u shkaktua nga një rrjedhje gazi.
Kështu deklaroi prokurori i përgjithshëm meksikan, Jesus Murillo Karam, i cili nënvizoi se në kompleksin në fjalë nuk u gjetën gjurmë eksplozivi.
Ai tha se ekspertët besojnë se një defekt elektrik ka shkaktuar një shkëndijë që ka ndezur më pas gazin që rridhte.
Numri i vdekjeve të ngjarjes së të enjtes së kaluar është ngjitur ndërkohë në 37. Mbi 100 persona të tjerë po mjekohen në spital, shumica e të cilëve të dëmtuar nga shembja e ndërtesës.
Prokurori Karam tha se verifikimi i burimit të gazit është ende nën hetim, edhe pse mendohet të jetë gaz metani që ka rrjedhur nga tubacionet në ndërtesë ose ka ardhur nga kanalet e ujërave të zeza.
“Këto janë burimet e mundshme. Ky shpërthim shkaktoi një efekt në strukturat e kateve të ndërtesës, duke çuar në shembjen e tyre. Dhe kjo ishte shkaku kryesor i vdekjeve”, tha prokurori.
Zyrtari shtoi më tej se në vendin e ngjarjes kishte pak prova për shpërthimin dhe nuk kishte shenja të një krateri tipik të shkaktuar shpërthimet.
Autoriteteve u është dashur disa ditë për të konfirmuar se shpërthimi ishte një incident dhe jo një sulm nga grupet e armatosura të Meksikës.
Top Channel