Klandestinë me jahte

05/02/2013 23:10

Emigrantët shqiptarë i kanë përdour thuajse të gjitha mënyrat për të ardhur në Britani, vendi i preferuar prej tyre, duke përdorur maune, trenat e Eurostar-it, avionët e linjave ajrore normale, e deri tek avionet privatë, ndërkohë që mësohet se për të kaluar ngushticën mes Francës dhe Britanisë, tani po përdoren edhe jahtet.

“The Times” e Londrës njofton se dy francezë janë arrestuar, të cilët dërgonin në mënyrë klandestine emigrantët, duke bërë shumë udhëtime me jahtet e tyre të mbushur me emigrantë.

Gjatë një kontrolli të autoriteteve të doganës dhe kufirit, në një jaht në portin Cherbourgh janë gjetur 14 emigrantë shqiptarë, të cilët më pas janë liruar për t’u rikthyer privatisht nga vendet nga kanë ardhur.

Mësohet se emigrantët paguajnë nga 1 mijë euro për të kaluar ngushticën detare të kanalit të La Manshit, që ndan Francën nga Anglia.

Sipas autoriteteve, kjo është një metodë e re e përdour nga trafikantët, e cila nuk ka qenë e njohur më parë. Sipas hetimeve, pronarët e jahteve janë kontaktuar nga trafikantët shqiptarë, të cilët u kanë sugjeruar atyre këtë rrugë të re, për të sjellë emigrantë shqiptarë drejt Britanisë.

Përpara një viti bëri bujë lajmi i përdorimit të avionëve privatë nga Belgjika drejt aeroporteve të vogla në jug të Anglisë, ku një familje emigrantësh nga Shqipëria u arrestua nga autoritetet britanike të emigracionit.

Numri i azil-kërkuesve shqiptarë, që vijnë në Britani gjatë vitit të fundit, ka shënuar rritje, ku të rinj nën moshë dhe gra e vajza janë ata, që më së shumti kërkojnë azil për gjakmarrje apo trafikim për qëllime prostitucioni, ndërkohë që numër jo i vogël qëndrojnë në të zezë.

Arrestimi i dy francezëve, pronarë jahtesh, është bërë dje, por mësohet se hetimi i policisë vazhdon prej një muaji. Franca dhe Britania kanë një histori të tendosur mes tyre për çështjen e emigrantëve, ku britanikët akuzojnë francezët, që lejojnë emigrantët të kalojnë për në Britani, ndërkohë që francezët thonë se janë ligjet e relaksuara të emigracionit në Britani, që i tërheqin azil-kërkuesit drejt Britanisë së Madhe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA