Presidentja e Kosovës, Atifehte Jahjaga ka deklaruar se në takimin e saj
me presidentin serb, Tomisllav Nikoliç do të bisedojë parimisht për
normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Do të diskutojmë për nevojën e vazhdimit të dialogut, për arritjen e marrëveshjeve për të gjitha çështjet dhe për zbatimin e përpiktë të këtyre marrëveshjeve, të cilat janë në dobi të qytetarëve të të dyja shteteve dhe në funksion të fqinjësisë së mirë, paqes dhe stabilitetit në rajon”, ka thënë Jahjaga.

Në një intervistë për “REL”, Jahjaga është shprehur se, takimi është simbolik por edhe i rëndësishëm, sepse për herë të parë do të takohen presidenti i Republikës së Kosovës dhe presidenti i Republikës së Serbisë, një sukses ky për normalizimin dhe avancimin e marrëdhënieve si dy shtete të pavarura.

“Ne do t’i japim mbështetje proçesit të deritanishëm të dialogut që po udhëhiqet nga kryeministrat e dy vendeve, që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe po përkrahet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka theksuar Jahjaga.

Takimi, sipas saj, ka për synim që në pajtim të plotë me normat dhe standartet evropiane, si dhe me konventat ndërkombëtare, të gjejë zgjidhje për të gjitha çështjet.

“Duke marrë parasysh të kaluarën e Kosovës dhe Serbisë, është e pritshme që marrëdhëniet të normalizohen plotësisht. Takimi i presidentëve është në funksion të këtij qëllimi, ndërsa nga parlamenti, qeveria është e autorizuar të udhëheqë proçesin e dialogut”, ka shtuar Jahjaga.

Top Channel