Itali, largohen të huajt

05/02/2013 00:00

Një tendencë e re ndihet në fenomenet migruese në Itali. Sipas të
dhënave të fundit të Instituti Kombëtar të Statistikave, gjatë vitit
2011 në zyrat e gjendjes civile janë shtuar çregjistrimet e të huajve
dhe kanë pësuar rënie regjistrimet e banorëve të rinj të huaj.

Duke krahasuar vitin 2011 me 2010, në nivel kombëtar çregjistrimet janë shtuar në masën 16% dhe kanë prekur pak a shumë emigrantë nga të gjitha vendet. Gati gjysma e të huajve që janë larguar nga Italia janë europianë, një e treta përbëhet nga rumunët që kthehen në vendlindje apo emigrojnë në një vend tjetër.

Në fakt sipas Fondacionit Moressa, që merret me flukset migruese, jo gjithnjë ikja nga Italia do të thotë kthim në atdhe, ndonjëherë bëhet fjalë për transferim në një tjetër vend, i cili ofron mundësi dhe perspektiva më të mëdha. Por gjithsesi largimi i pjesës më të madhe të emigrantëve është rrjedhojë e krizës ekonomike në Itali.

Në periudhën 2008-2011 numri i të huajve të papunë është dyfishuar dhe përqindja e të papunëve mes të huajve ka kaluar nga 8,5% në 12%, kundrejt 8% që është ajo mes vendasve.

Top Channel