Presidenti i Francës, Francois Hollande, sulmoi ashpër vendosjen e interesave kombëtare mbi interesat e vetë BE-së, gjatë një fjalimi në Parlamentin Europian në Strasburg.
Në fjalën e tij, Hollande theksoi se nuk mund të ketë një Europë që të ecë në “dy apo shumë drejtime”.
”Interesat kombëtare rrezikojnë të errësojnë interesin e përgjithshëm të BE-së”, deklaroi Hollande, në një deklaratë që u interpretua si e adresuar ndaj Britanisë së Madhe.
Më parë gjatë janarit, kryeministri Cameron premtoi mbajtjen e një referendumi për qëndrimin ose daljen nga BE brenda vitit 2017, një deklaratë që u sulmua ashpër nga Parisi dhe Berlini zyrtar.
Pas premtimit për mbajtjen e një referendumi, Hollande pati deklaruar se “BE nuk është një supermarket, ku mund të marrësh atë që dëshiron dhe të lësh atë që nuk të pëlqen”.
Fjalimi i presidentit francez erdhi dy ditë përpara një samiti mbi buxhetin e ardhshëm shumë-vjeçar të BE-së, i cili pritet të karakterizohet nga negociata të vështira, pas qëndrimeve të anasjellta mbi formën dhe madhësinë e buxhetit, të disa prej vendeve më të mëdha europiane.
Top Channel