Qeveria greke përdori fuqi të jashtëzakonshme, duke urdhëruar punëtorët e flotës tregtare që të riktheheshin në punë, pas një greve 6-ditore që ka bllokuar lidhjen e Greqise kontinentale me ishujt.

Ministri i Flotës Tregtare, Costas Mousouroulis, deklaroi se janë marrë masa që të përmbushen kërkesat e grevistëve, por e konsideroi forcën e përdorur nga Athina si të përligjur, duke vlerësuar gjendjen kaotike të shkaktuar nga kjo grevë.

Drejtuesi i një sindikate deklaroi se punëtorët do të sfidojnë urdhërin e qeverisë dhe do të vazhdojnë manifestimin e tyre. Në bazë të urdhërit të nxjerrë nga Athina, e cila përdori fuqi që me ligj njihen në raste të shpalljes së situatës së jashtëzakonshme, punëtorët që refuzojnë të kthehen në detyrë rrezikojnë burgim nga 3 muaj deri në 5 vjet heqje lirie.

Qeveria përdori të njëjtat fuqi në janar, për të shpërndarë një grevë 10-ditore të punonjësve të metrosë së Athinës. Punëtorët e marinës kërkojnë anullimin e disa shkurtimeve të mëtejshme, që qeveria ka planifikuar të bëjë në sektor, në mënyrë që të përmbushë planin me të cilin Brukseli ka kushtëzuar kreditimin e mëtejshëm.

Gjatë të martës, në grevë dolën edhe fermerë nga të gjithë vendi, të cilët që prej një jave, bllokojnë autostrada dhe rrugë të ndryshme duke parkuar traktorët e tyre në mes të rrugës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA