
Zyrtarë të OKB-së, Bashkimit Evropian dhe Afrikës do të takohen të martën në Bruksel për të diskutuar se si të mbahen zgjedhje demokratike verën e ardhshme në shtetin e Malit.
Ata do të diskutojnë gjithashtu për situatën e sigurisë dhe atë humanitare pas grushtit të shtetit të vitit të kaluar dhe ofensivës aktuale kundër militantëve islamikë.
Trupat franceze dhe ato maleze po smbrapsin militantët e lidhur me Al Kaedën, që kishin marrë nën kontroll pjesën dërrmuese të veriut të vendit.
Shtetet e Bashkuara dhe Franca duan që trupat afrikane të marrin kontrollin e sigurisë nga forcat franceze.
Ndërkohë, avionë ushtarakë francezë kanë bombarduar bazat e rebelëve dhe depot e armëve në zonat e largëta veriore të Malit, në përpjekje për të dobësuar forcën e tyre.
Korrespondentët e mediave ndërkombëtare deklarojnë se progresi i shpejtë i trupave franko-maleze ka detyruar diplomatët të shqyrtojnë situatën atje në aspektin e sigurisë.
“Kur një shtet rrëzohet, duhet pak kohë për ta ngritur sërish. Megjithatë, ne duhet të përpiqemi”, deklaroi një zyrtar i BE-së i cituar nga agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Në planin afatmesëm, ne duhet të fokusohemi në sigurimin e fondeve për veriun e Malit, me qëllim që banorët atje të kenë kushte reale jetese”, tha ai.
Grupi ndërkombëtar i mbështetjes për Malin, që do të takohet të martën në Bruksel, do të diskutojë gjithashtu për mbështetjen e një proçesi politik, që do të çojë vendin në zgjedhje, të cilat mund të mbahen më 31 korrik.
Top Channel