Kthimi i qëndrueshmërisë dhe forcimi i eurozonës, mbështetja për rritjen ekonomike dhe punësimin, si dhe trazirat në Lindjen e Mesme, ishin temat kryesore të takimeve të Këshillit Evropian gjatë vitit 2012.
Në rreth 80 faqe, Ballkani zë vetëm disa rreshta në raportin e parë vjetor të presidentit të BE-së Herman Van Rompuy, ku çështja e zgjerimit përfshihet në nëntitullin e “fqinjësisë”.
“Garantimi se e ardhmja e Ballkanit është Evropiane është prioritet i mandatit tim të dytë dhe jam i lumtur që u hodhën hapa të rëndësishëm gjatë vitit 2012. Në takimin e marsit ramë dakort që Serbia të bëhet vend kandidat. Në qershor udhëheqësit morën vendimin për të çelur negociatat për anëtarësim me Malin e Zi. Dhe gjatë vitit vijuan përgatitjet që Kroacia të na bashkohet si vendi i 28 anëtar më 1 korrik 2013”, thotë Van Rompuy.
Raporti i Van Rompuy përmban një përmbledhje të takimeve dhe vendimeve të rëndësishme të 27 krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së mbi çështjet kryesore të vitit të kaluar.
Përgatiti: Ernest BUNGURI
Top Channel