Nigeri konfirmoi se trupat sepciale franceze janë vënë në mbrojtje të një prej minierave më të mëdha të uranimit, në atë që përbën ndërhyrjen e dytë të Francës në Afrikë, pas konfliktit në Mali.
Presidenti Mahamadou Issoufou deklaroi për mediat franceze se u kërkua asistenca e Parisit pas krizës së fundit të pengjeve në Algjeri.
”Duke parë situatën në rajon dhe veçanërisht atë që ndodhi në Algjeri, vendosëm që të mos marrim përsipër rreziqe të kota dhe i kërkuam Francës që të dërgojë në zonë trupat e saj speciale për të siguruar minierat, diçka që është realizuar tashmë”, deklaroi Issoufou.
Kompania franceze Areva ka në pronësi shumicën e minierave të Nigerit, vendit të pestë më të madh në botë prodhues të uraniumit.
Tre vjet më parë, militantët islamikë kapën pesë punëtorë francezë të minierës së Arlit dhe katër prej tyre po mbahen ende peng, së bashku me tre shtetas të tjerë francezë të pengmarrë në kryeqytetin Niamei.
Sipas burimeve të Shërbimeve Sekrete, besohet se pengjet janë vendosur në Malin Verior, ku trupat franceze po luftojnë me militantët e Al-Kaedës.
Muajin e shkuar, të paktën 37 punëtorë të huaj mbetën të vrarë, kur xhihadistët islamikë sulmuan një impiant gazi në Amenas, në lindje të Algjerisë.
Top Channel