
Ndërsa gjurmët e aktit terrorist i cili i mori jeten Selver Haradinajt ende nuk janë zhdukur, një tjetër sulm me granatë dore tronditi sërish zonën e Tre Rrokaqiejve në veri te Mitrovicës.
Këtë herë sulmuesit hodhën mjetin shpërthyes në vendparkimin e makinave të qytetarëve të kësaj zone. Ngjarja ndodhi të dielën rreth orës 22:00 ndërsa përvec tri makinave të dëmtuara nuk ka të lënduar në njerëz.
Po të dielën, një granatë dore u hodh në Leposavic. Objektiv i sulmit sipas policisë është një qytetar i përkatësisë etnike serbe, punonjës në zyrën administrative të qeverisë së Kosovës. Në të dyja rastet policia ka dyshimet e bazuara se sulmet janë porosi për serbët që punojnë në zyrën qeveritare në veri pasi, vet shefja e këtij institucioni jeton në zonën e tre rrokaqiejve.
Ndërsa ende nuk dihen autorët e sulmeve në veriun e Kosovës, një gjë është po thuaj është e sigurtë. Shenjëstër i sulmeve janë punëtorët e zyrës administrative në veri të Mitrovicës, ndoshta edhe vet shefja e saj Adriana Hoxhiç e cila jeton në lagjen e Tre Rrokaqiejve në veri.
Hoxhiç është e vetëdijshme se punëtorët e saj me kombësi serbe u nënshtrohen cdo ditë rreziqeve të mëdha. Ajo kujton se kohë më parë është plagosur zëvendësi i saj Dushan Milisavlevic. Por Hoxhiç jep shembullin e vet duke thënë se nuk do të zmbrapset nga aktivitetet e zyrës për integrimin e serbëve të veriut. Për shpërthimin e një nate më parë ajo thotë se e ka dëgjuar dhe se ka qenë mjaft i fuqishëm.
“Ka qenë një shpërthim i fuqishëm, por nuk mund të them që më ka frikësuar, po ashtu të them se jam indiferente sepse sigurisht është një ndjenjë e keqe, por megjithatë nuk kam qenë e frikësuar. Ajo për të cilën jam e sigurtë është se nëse dikush ka patur për qëllim të shqetësojë banorët e kësaj zone kanë patur sukses, ndërsa nëse qëllimi i dikujt ka qenë që ta shkurajojë punën që bëj, këtu nuk kanë patur sukses sepse unë nuk dorëzohem prej aktiviteteve të planifikuara të cilat i kam për qytetarët e veriut”, tha Hoxhiç kryetare e zyrës së qeverisë së Kosovës në veri të Mitrovicës.
Vetëm gjatë dy muajve të fundit, dhjetor janar, te dhenat e policise flasin per 14 sulme të tilla ku të dyshuarit nuk mund të identifikohen ndërsa rastet regjistrohen kryesisht si vepra penale “ shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Top Channel