
Opozita maqedonase ka mbajtur, të dielën, një marsh protestues me makina. Karvani opozitar, i përbërë nga dhjetra automjete, ka përshkuar disa rrugë të Shkupit dhe ka ndaluar para godinës së qeverisë.
Protestuesit porositën kryeministrin Nikolla Gruevski se nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga kërkesa e tyre për zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke paralajmëruar radikalizimin e protestave në ditët në vijim.
Drejtuesit e opozitës njoftuan se, veç bllokimit të rrugëve, së shpejti deputetët opozitarë do të heqin dorë edhe nga mandatet e tyre, ndërsa po ashtu do të bojkotohen edhe zgjedhjet lokale të 24 marsit.
“E gjithë përgjegjësia, për krizën më të madhe politike në Maqedoni, në 10 vitet e fundit, bie mbi kryeministrin Nikolla Gruevski dhe VMRO-DPMNE-në. Shanset për tejkalimin e kësaj situate janë shumë të vogla, sepse te pushteti nuk ka gadishmëri për bisedime normale. Në ditët në vijim, ne do t’i kthejmë mandatet në Kuvend, me çka mendojnë të tregojmë se qeveria ka humbur totalisht legjitimitetin dhe se është koha për zgjedhje të reja parlamentare”, tha Andrej Petrov, sekretari i përgjithshëm i LSDM-së.
Ndërkohë, ambasadori i BE-së në Shkup, Aivo Orav, të dielën u ka bërë thirrje liderëve politik maqedonas, që përmes dialogut të tejkalojnë krizën. Diplomati europian mbështeti idenë e presidentit maqedonas, për formimin e një komisioni anketues për ngjarjet e dhunshme në Kuvend, duke thënë se kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për kapërcimin e krizës.
Top Channel