Serbia ka emëruar oficerin për lidhje në Prishtinë, Dejan Paviçeviç, në një mbledhje të qeverisë. Ky do të jetë shkëmbimi i parë i zyrtarëve të qeverisë së Serbisë dhe asaj të Kosovës pas marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
Megjithatë, ka qëndrime të kundërta mbi se çfarë është ky shkëmbim, pasi Kosova të dërguarin e saj e quan ambasador në Serbi.
Paviçeviç është jurist në përfundim të doktoraturës së tij dhe që nga vitit 2008 ka punuar si shef i kabinetit në atë që quhej Ministria për Kosovën e Metohinë. Ndërkohë që më pas është emëruar si shef i grupit të bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës.
Detyra e tij, siç thuhet në njoftimet zyrtare, është monitorimi i zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Vet Paviçeviç ka deklaruar më herët se kjo pozitë nuk është si ajo e një ambasadori, pasi Serbia dhe Kosova nuk kanë marrëdhënie diplomatike.
Oficerët për lidhje do të qëndrojnë në ndërtesat e Bashkimit Evropian në Beograd e Prishtinë. Më herët gjatë vitit Kosova caktoi ambasadorin e saj në Suedi, Lulzim Peçi, për të kryer këtë detyrë.
Top Channel