Mustafa Nano – Selami Xhepa, ekspert i ekonomisë, dhe njëherësh deputet i
PD-së, u vetëpërfshi para ca ditësh në një karfosje të ashpër publike
mes vajzës bujëmadhe të kryeministrit të vendit dhe biznesmenit
pakistanez, Ansar (ky i fundit e akuzonte të bijën e Berishës për një
babëzi të padëgjuar; ajo i ka kërkuar, sipas tij, 3 milionë euro në
këmbim të ndërhyrjes pranë të atit në favor të një investimi të kërkuar
nga pakistanezi), dhe me këtë “sakrifikim të kotë të imazhit të vet
publik”, Xhepa ka kapur në befasi të gjithë ata që e njohin dhe e
çmojnë, përfshirë dhe autorin e këtij shkrimi.
Por Xhepës nuk i duhet vënë veshi kur “investohet” në ngjarje të tilla; as nuk duhet t’i merret për të madhe (ai është në politikë, tanimë, e prandaj ndonjë hesap do ta bëjë dhe ai në këtë moment, kur po bëhen listat për deputetë). Atij i duhet vënë veshi kur flet për çështje të ekonomisë e të financave. Nuk është se në këto raste nxjerr sëpatën (edhe ai s’e ka pasur për gjë t’i vërë herë pas here një shtupë gojës në këtë klimë nënshtrimi që ekziston në mazhorancë e në grupin e tij parlamentar), por kur flet, duket se nuk i ka qejf tonet propagandistike, dhe përpiqet t’i thotë ca të vërteta që nuk mund të fshihen. Përsëris: në të shumtën e rasteve, shfaqet si kofini pas të vjelave, por hë për hë ka mbetur i vetmi zë brenda mazhorancës që guxon të bëjë ca pohime jo fort ortodokse.
Të njëjtën gjë ka bërë dhe në “Shqip”-in e djeshëm ku, i intervistuar nga gazetari Ard Kola, ka bërë ca nënvizime dramatike lidhur me gjendjen ekonomike të vendit, sidomos lidhur me gjendjen e kredive të këqija dhe të huamarrjes informale që ka plasur kohët e fundit në Shqipëri, të cilat, sipas Xhepës vetë, mund të sjellin pasoja të paparashikueshme për ekonominë. Për ata që nuk janë familjarë me termat e mësipërm, duhet shpjeguar se kreditë e këqija janë kreditë, të cilat nuk i kthehen më bankës në formë interesash, që do duhej të paguheshin periodikisht (zakonisht çdo muaj), ndërsa huamarrjet informale janë as më shumë, as më pak – merrni frymë pak! Ju thotë gjë kjo fjalë? – fajdetë.
Xhepa nuk e mohon ekzistencën e tregut informal të huasë. Përpiqet të justifikojë e të minimizojë dukurinë e përmasat e saj (“Edhe në vendet me tregjet financiare më të zhvilluara në botë, si Britania e Madhe, ekziston tregu informal i huasë. Arsyeja është se ka gjithnjë agjentë ekonomikë në nevojë, individë, firma, etj., që kanë nevojë për likuiditete dhe që nuk plotësojnë kriteret që t’u drejtohen tregjeve formale për kredi. Sa kohë që fajdeja ndihmon në plotësimin e nevojave për likuiditet të përkohshëm të agjentëve dhe fenomeni nuk është përhapur në përmasa që të jenë komprometuese për stabilitetin e tregjeve financiare, gjërat mund të jenë të pranueshme”, thotë), por pak më poshtë e tradhton shqetësimi, të cilin nuk ka dashur ta fshehë, ndonëse e ka shprehur në një formë “dinake” me ndihmën e lidhëzës “nëse” (“Nëse fenomeni i fajdesë fillon të zgjerohet dhe të marrë përmasa të mëdha, sigurisht që çështja duhet të marrë seriozitetin dhe vëmendjen e autoritetit monetar, Bankës së Shqipërisë. Huamarrja është dhe duhet të jetë një aktivitet i mbikëqyrur dhe nuk duhet të lejohet të shndërrohet në një praktikë që të komprometojë stabilitetin e sistemit financiar”, thotë).
E vërteta është se fajdeja po shfaqet rrezikshëm, dhe kjo vjen edhe ngaqë (përveç arsyeve “shkencore” të Xhepës) qeveria nuk po u rimburson paratë që ata, bazuar tek një premtim i enteve qeveritare, i kanë nxjerrë nga xhepi i tyre dhe i kanë hedhur në investime publike. Dhe nuk janë një e dy. Janë me qindra. Janë biznesmenë idiotë? Jo, janë klientë të qeverisë, të cilët as që guxojnë të ngrenë dhe zërin për këtë situatë të krijuar. Janë gati të bëjnë harakiri me gjithë bizneset që kanë ngritur, por zërin nuk e ngrenë që nuk e ngrenë për të kërkuar paratë që u takojnë. Dhe për të zgjidhur hallet që kanë, për të mbajtur gjallë bizneset e për të përmbushur detyrimet që u kanë të tretëve, u janë drejtuar fajdeve. Mund të mendohet, se “mirë t’i gjejë këta klientë të ndyrë të qeverisë!”, por puna është se këto biznese, janë si janë, përbëjnë zemrën e ekonomisë. Nëse këto biznese, qofshin dhe të ngritura apo të mbrojtura nga qeveria, marrin fund, tok me to kalon në kolaps tërë ekonomia. Ishte po “Shqip”-i që njoftonte dje, bazuar tek një deklaratë e tatimeve, se kompania “City Park” që lindi me pompa të mëdha para nja tre vitesh nën kujdesin e praninë e kryeministrit me gërshërë në dorë ka falimentuar (asnjë gazetë tjetër nuk e jepte këtë lajm!!!). Dhe nuk është çudi që në këtë klimë të drojës bankare për të dhënë kredi e të rishfaqjes së fajdeve si një mënyrë për të zëvendësuar përgjumjen e bankave, këtë fat ta kenë dhe kompani të tjera, të cilat mbahen më kot me të madh. Një numër gjigandësh të ekonomisë sonë janë tigra prej letre, apo thënë me fjalë më konkrete, janë biznese të krimbura në borxhe ndaj bankave, të cilat i kanë shlyer duke marrë borxhe të tjera më të mëdha po te bankat. Po si është e mundur që këto të fundit kanë pranuar ta bëjnë këtë lojë? E kanë bërë nën presione të natyrave nga më të ndryshmet (edhe disa banka janë klientë të qeverisë), dhe kështu kemi ardhur në situatën që njohim.
Xhepa është kujtuar shumë vonë për t’u rënë borive të alarmit, por më mirë vonë se kurrë. Mirëpo është për të ardhur keq që ky është i vetmi nga radhët e mazhorancës që po thotë atë që di (ekspertë ekonomikë të opozitës kanë kohë që e thonë këtë gjë, madje me tone ku e ku më dramatike, por alarmi i tyre është parë si një sendërgjí opozitare). Është për të ardhur keq edhe ca më shumë, kur sheh se shtypi ynë veç në ngjarje të tilla nuk fokusohet. Gazetarët e kanë mendjen të marrin vesh e të informojnë, se kush do të futet në listat e kandidatëve për deputetë. Ky është problemi i madh i tyre. Edhe kur rrogat e tyre ua vonojnë me muaj të tërë, shenjë se flluska e ekonomisë po pëlcet, ata prapëseprapë nuk e shohin me vend të fokusohen tek ekonomia.
Top Channel