Kosova do të mbetet një zonë zgjedhore, ashtu siç është që prej pasluftës. Liderët e partive parlamentare u mblodhën këtë të hënë në Prishtinë dhe vendosën t’i japin fund debateve mbi ndarjen në zona.

Tashmë mbetet të vendoset në takime të ardhshme se sa do të jetë pragu elektoral nga 5 përqind sa është aktualisht; si do të jetë përbërja e KQZ-së dhe nëse listat e kandidatëve për deputetë do të mbyllen apo të mbesin kështu siç janë të hapura.

“Është pajtueshmëri parimore që të shkohet me një zonë elektorale në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, ndërsa ka mbetur të diskutohet për lista të hapura apo të mbyllura për pragun zgjedhor, për ulëset e rezervuara për komunitetet, gjithashtu edhe përbërjen e KQZ-së edhe disa çështje tjera teknike”, deklaroi kryeministri Hashim Thaçi.

I pyetur se nëse përshpejtimi i reformës zgjedhore po ndodh për shkak se mund të ketë zgjedhje të parakohshme, kryeministri Thaçi la të kuptohet se zgjedhje nuk mund të ketë para 17 shkurtit të 2014-ës.

“Reformat janë të nevojshme për të siguruar dhe garantuar një proces të mirëfilltë elektoral sepse do t’i kemi 6 vite të pavarësisë në atë periudhë dhe ne po konsolidohemi dhe forcohemi si shtet. Të gjithë jemi duke investuar që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike”, tha Thaçi.
 
Ndërkohë, lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se po punohet për zgjedhje të rregullta, por nuk ka përjashtuar mundësinë që ato të mbahen në fund të këtij viti apo në pranverën e 2014-ës.
 
“Ne tani po bëjmë përpjekje të përfundojmë ligjin zgjedhor me ligj është e parashikuar që 6 muaj pasi të përfundojë Kuvendi ndryshimet e ligjit zgjedhor mund të shpallen zgjedhje dhe ajo çështje pastaj e vullnetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Por them zgjedhjet mund të mbahen në fund të këtij viti ose mund të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm, por për gjithë atë ne kemi një pajtueshmëri dhe një vlerësim të përbashkët i cili vlerësim lidhet jo vetëm me intereset e partive politike, por me interesat e Kosovës”, tha Mustafa.
 
Në këtë takim ka munguar përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosjes, sepse sic tha shefi i grupit parlamentar të VV visar ymeri, forca e tretë politike në Kosovë nuk kanë qenë e ftuar nga kryeministri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA