Bashkimi Europian i rikthehet negociatave të vështira mbi buxhetin e ardhshëm shumë-vjeçar, me drejtuesit e vendeve të ndryshme që mbeten spektikë përpara samitit të Brukselit, që do të nisë javën e ardhshme.
Kryeministri i Irlandës, Enda Kenny, do të takohet me presidentin e BE-së (von Rompuy), e KE-së (Barroso) dhe PE-së (Schultz), në përpjekje për të sheshuar diferencat dhe gjetjen e një kompromisi gjithpërfshirës.
Republika e Irlandës mban aktualisht presidencën 6-mujore të BE-së.
Në prag të samitit përcaktues të Brukselit, Presidenti i Francës, Francois Hollande, paralajmëroi se nuk janë arritur ende kushtet për të gjetur një marrëveshje të përbashkët të 27 vendeve anëtare.
Një samit në muajin nëntor nuk arriti të prodhonte një kompromis për buxhetin e BE-së në vitet 2014-2020.
Aktualisht, ekzistojnë vizione të ndryshme mbi madhësinë e fondit dhe mënyrën se si do të përdoret ai. Buxheti i fundit i BE-së kishte një vlerë totale prej pothuajse një miliardë euro.
Britania e Madhe, Holanda, Danimarka dhe Suedia janë bashkuar në propozimin e reduktimit të buxhetit për bujqësinë, por Franca, e cila është përfituesja kryesore e fondeve në këtë sektor, kundërshton projektin.
Nga ana e tyre, Italia dhe Danimarka kanë protestuar me argumentin se kontributi i tyre për buxhetin e BE-së është tepër i lartë.
Gjermania beson se buxheti duhet të pësojë një rritje, ndërsa Britania këshillon që ai duhet të ngrihet përkohësisht.
Përballë këtyre qëndrimeve të anasjelltave, duket pothuajse e pamundur që samiti i Brukselit, të arrijë të rakordojë një qëndrim të përbashkët të vendeve europiane.
Top Channel