Presidenti i Iranit, Mahmoud Ahmadinejad, doli vullnetar që të shndërrohet në iranianin e parë që do të dërgohet në hapësirë brenda vitit 2019.
Agjensia Hapësinore Iraniane, e cila më parë gjatë shkurtit deklaroi se dërgoi me sukses një majmun në orbitën e Tokës, i ka vendosur vetes si qëllim që brenda gjashtë viteve të ardhshme të dërgojë edhe ajo një njeri në hapësirë.
Dërgimi i një rakete iraniane në hapësirë u konfirmua nga agjensitë ndërkombëtare, por jo rikthimi i gjallë i një majmuni në Tokë, siç u pretendua nga Teherani zyrtar.
“Jam i gatshëm që të jem unë iraniani i parë, i cili do të sakrifikohet për shkencën e vendit tim. Megjithatë, nuk besoj se do të jetë një sakrificë, por një arritje e re e madhe e shkencëtarëve tanë”, deklaroi presidenti Ahmadinejad, i cili po konsumon muajt e fundit të mandatit të tij të dytë dhe të fundit.
Megjithatë, sipas mediave perëndimore, ka pak gjasa që Irani të ketë si synim që të dërgojë me të vërtetën njerëz në hapësirë, ndërsa ky program konsiderohet si një kamuflim për zhvillimin e armëve bërthamore në vend.
Irani mohon një synim të tillë, por kjo nuk e ka shpëtuar atë nga sanksione të ashpra ndërkombëtare dhe kërcënimet për luftë nga Izraeli dhe SHBA.
Sanksionet, të cilat kanë shënjestruar kryesisht industrinë fitimprurëse të naftës, kanë sjellë një bllokadë ndërkombëtare financiare ndaj Iranit, që ka kontribuar në një përkeqësim dramatik të nivelit të jetesës në vendin që tashmë po përjeton një inflacion galopant.
Top Channel