
Benjamin Netanjahu do të formojë qeverinë e re izraelite, detyrë që iu ngarkua nga presidenti i vendit, Simon Peres. Ai foli për negociatat e paqes me palestinezët, si dhe për të mos lejuar Iranin të sigurojë armën bërthamore.
“Qeveria e ardhshme që do të formoj, do të jetë e angazhuar për paqen. I bëj thirrje Mahmud Abazit t’i kthehet bisedimeve në tryezë. Çdo ditë, që kalon pa biseduar për të gjetur së bashku një mënyrë për të krijuar paqen për popujt tanë, është një ditë e shkuar dëm”, tha Netanjahu.
“Detyra supreme e qeverisë, që do të formoj, është të ndalojë Iranin, për t’u armatosur më armën bërthamore. Ne, gjithatu duhet t’i bëjmë ballë edhe armatimeve të tjera vdekjeprurëse, që gjenden rreth nesh dhe kërcënojnë qytetet tona dhe qytetarët tanë”, shtoi ai.
Koalicioni “Likud Beitenu” nuk arriti të sigurojë shumicën, kësisoj Benjamin Netanjahu tha se ai do të krijojë një qeveri më bazë të gjerë. Analistët thonë se aleatët e mundshëm të Netanjahut janë ata të krahut të djathtë dhe grupet fetare, megjithëse ai do të ketë nevojë edhe për mbështetjen e centristëve.
Në zgjedhjet e 22 Janarit, “Likud Beitenu” fitoi 31 vende nga 120 në total në “Knesset”. Grupi nacionalist “Habajit Hajehud” (Shtëpia Hebraike) mori 12 deputetë, partia e qendrës “Yesh Atid” (Ka një të ardhme) u rendit e dyta me 19 vende. Netanjahu foli për një qeveri me bazë të gjerë.
“U kthehem të gjithë sektorëve të njerëzve tanë, të të gjithë fraksioneve, përfshi edhe atyre që nuk më rekomanduan të formoj qeverinë e re, të bashkohen në një qeveri të bashkimit kombëtar, sa më shumë të jetë e mundur, një qeveri që do të kujdeset për sigurinë, bashkimin dhe të ardhmen e shtetit të Izraelit”, deklaroi Netanjahu.
Mbështetur mbi ligjin, Netanjahu ka 6 javë kohë për të formuar qeverinë dhe dy javë shtesë, nëse do t’i nevojiten. Kryeministri 63-vjeçar mban këtë detyrë prej zgjedhjeve të 2009. Netanjahu ishte kryeministër edhe gjatë viteve 1996-1999.
Top Channel