Izrael, Peres kërkon formimin e qeverisë

03/02/2013 09:50

Presidenti i Izraelit, Shimon Peres, i kërkoi kryeministrit Benjamin Netantyahu që të formojë një qeveri të re, pasi blloku i tij u rendit i pari në zgjedhjet parlamentare të janarit.

Netanyahu, i cili me koalicionin e “Likud-Beitenu” nuk arriti të fitonte mazhorancën, është shprehur se qeveria e re do të jetë e përbërë nga një koalicion “sa më i gjerë” partish.

Blloku i Netanyahut, në zgjedhjet e parakohshme të 22 janarit, ndonëse u rikonfirmua për një mandat të ri, humbi dukshëm në popullaritet, duke siguruar vetëm 31 prej 120 vendeve të “Knesset”-it (Kuvendit) izraelit.

Surpriza më e madhe e zgjedhjeve ishte pozicionimi në vendin e dytë e partisë së sapoformuar të qendrës “Yesh Atid” (Ka një të ardhme), me 19 mandate.

Grupi nacionalist, “Habayit Hayehudi” (Shtëpia e Hebrenjve), i cili pritet të jetë përcaktues për qeverinë e re me qendrimin e tij, fitoi 12 mandate.

Në takimin me presidentin Peres, Netanyahu gjithashtu theksoi se qëllimi kryesor i mandatit të ardhshëm në arenën ndërkombëtare do të jetë “ndalimi i pasjes së një arme bërthamore prej Iranit” dhe “avancimi i procesit të bisedimeve për paqe me palestinezët”.

Megjithatë, sipas ekspertëve, përballë vendosmërisë së Teheranit për të realizuar programin e tij bërthamor dhe deklaratave publike të Netanyahut për mostërheqjen e kolonive izraelite nga vendbanimet e paligjshme të ndërtuara në territor palestinez, pritet që secila prej këtyre dy çështjeve të përbëjë një sfidë pothuajse të pazgjitshme për Tel Avivin zyrtar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA