
Partia Demokratike Shqiptare i ka bërë thirrje kryeministrit Nikolla Gruevski që të siguroj kushte demokratike për mbajtjen e zgjedhjeve locale në mars të këtij viti. Deputetët e PDSH-së thanë se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2008 pushteti ka lejuar që funksionarët e partisë së Ali Ahmetit, BDI të përdorin dhunë ndaj elektoratit shqiptar për të fituar zgjedhjet.
“Nga ky implikim i qeverisë për të favorizuar BDI-në gajtë proceseve zgjedhore ne sot në vend që t’i kemi nëpër burgje ata që kanë qenë të implikuar direkt në prishjen e procesit zgjedhor, që kanë shkaktuar incidente të dhunshme me armë nëpër vendvotime edhe pse ka plotë dëshmi, këta persona i kemi në pozita të larta udhëheqëse, njërin e kemi deputet, Talat Xhaferrin i cili ishte përfshirë në një sulm ndaj personave zyrtarë dhe nuk është i dënuar, por është i shpërblyer si deputet”, akuzoi Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.
Ndaj akuzave të këtilla ka reaguar koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Talat Xhaferi, i cili u kundërpërgjigj me akuza ndaj PDSH-së.
“Është ironike që kryekrimineli të akuzojë për krim, duke pasur parasysh faktin se në shtëpinë time në vitin 2008 para fushatës zgjedhore është hedhur mjet shpërthyes. Edhe njëherë them; ironia është kur kryekrimineli të bën akuza për krim”, tha Talat Xhaferi, koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së.
Zgjedhjet lokale në Maqedoni do të mbahen më 24 mars. Gara më e fortë mes partive shqiptare pritet të zhvillohet në Tetovë, Gostivar dhe Strugë, ndërsa qyteti i Kërçovës në këto zgjedhje për herë të parë mund të bëhet me kryetar shqiptar. Deri tani të dy partitë BDI dhe PDSH kanë shprehur optimizëm për fitore në bllokun shqiptarë.
Top Channel