Izraeli mori një goditje të fortë përsa i përket legjitimitetit të vendbanimeve të ngritura në territorin e pushtuar në Bregun Perëndimor, pasi Organizata e Kombeve të Bashkuara i dha të drejtë pretendimit palestinez ditën e premte.
Këshilli i të Drejtave të Njeriut të OKB-së renditi një seri shkeljesh të Izraelit, në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin lindor, duke përdorur midis të tjerave edhe fjalën “aneksim”.
Midis shkeljeve të evidentuara janë ato për “vetvendosjen, mosdiskriminimin, lirinë e lëvizjes, barazinë, të drejtën e një gjyqi të rregullt, të drejtën e mosndalimit arbitrar, liria dhe siguria personal, liria e shprehjes, liria e besimit dhe lutjes në vendet e kultit, e drejta për edukim, strehim, aksesi ndaj ujit të pijshëm dhe e drejta për të jetuar me një standart të pranueshëm jetese”.
“Vendbanimet janë vendosur me qëllimin e vetëm të përfitimit të shtetit hebre. Ato mbahen dhe zhvillohen nëpërmjet një politike të izolimit total nga popullsia tjetër e zonës, diçka që sigurohet nëpërmjet mbështetjes së ushtrisë, që privon nga shumë të drejta esenciale popullsinë palestineze”, shkruhej në raportin e OKB-së.
Në një deklaratë, palestinezët mirëpritën raportin, ndërsa kërkuan që OKB të hedhë hapa konkretë për të ndëshkuar Izraelin, në të njëjtën kohë që do të vendoset nën presion për tërheqjen e vendbanimeve të konsideruara si të paligjshme.
Izraeli, i cili prej kohësh e ka konsideruar Këshillin e të Drejtave të Njeriut në OKB si “sistematikisht të njëanshëm dhe tendencioz ndaj shtetit hebre”, deklaroi se ky raport do të dëmtojë procesin e paqes në rajon.
Më parë, Tel Avivi vendosi të mos bashkëpunonte me tre anëtarët e dërguar nga Këshilli në terren, të cilët ishin me shtetësi franceze, pakistaneze dhe botsvaneze.
Top Channel