Spanjë, hetime ndaj kryeministrit Rajoy

01/02/2013 19:45

Prokuroria Spanjolle ka nisur hetimet mbi një skandal hetimi, që ka përfshirë Partinë Popullore në pushtet dhe kryeministrin Mariano Rajoy.

Prokurori Eduardo Torres-Dulce, i pyetur nga gazetarët, deklaroi të premten se po merr në konsideratë mundësinë e marrjes së kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë në pyetje.

Aktualisht, Partia Popullore nuk është shprehur ende mbi këtë skandal, ndërsa ka paralajmëruar se do të përgjigjet me një deklaratë publike ditën e shtunë.

E përditshmja “El Pais”, e cila ishte ajo që publikoi për herë të parë skandalin, botoi te premten një seri të re provash inkriminuese dhe të dhëna për shumën e përfituar prej kryeministri Rajoy, i cili akuzohet se përfitoi ilegalisht deri në 25 200 euro, në 11 vitet 1997-2008.

Sipas provave të deritanishme të gazetës, që publikoi një buletin faqesh të shkruara me dorë, vërtetohet me imtësi skema e përvetësimit të parave shtetërore dhe fshehjes së të ardhurave nga taksat, në dobi të disa drejtuesve të Partisë Popullore në pushtet.

”El Pais” pretendon se skema korruptive, e cila ka funskionuar për 19 vite me radhë, ndonëse nuk është ideuar nga politikanët aktualë, është shfrytëzuar prej tyre me vetëdije të plotë.

Sipas të dhënave, devijimi i fondeve publike për Partinë Popullore, bëri që Mariano Rajoy, një prej drejtuesve më të lartë të partisë në atë kohë dhe kryeministër që prej 2010-s, të ishte përfituesi kryesor.

Ndërkohë, gjendja e rënduar ekonomike në vend ka bërë që gjithmonë e më shumë spanjollë të fajësojnë korrupsionin për problemet ekonomike.

Një sondazh i publikuar më parë gjatë janarit, tregoi se 17% e spanjollëve rendisin korrupsionin si problemin e parë kryesor për vendin, një normë pothuajse dyfish më e lartë nga perceptimi i muajit paraardhës.

Aktualisht, Spanja është duke u përballur me faktorë të shumtë që pengojnë rritjen ekonomike, midis të cilëve borxhi i lartë kombëtar, defiçiti i lartë buxhetor, masat e ashpra shtrënguese të kursimit, mungesa e konkurrencës, borxhi i lartë i sektorit privat dhe mungesa e qëndrueshmërisë në sistemin bankar.

Problemi i papunësisë është më akuti për vendin, me më shumë se pesë milionë spanjollë ose 26% e forcës aktive që është e papunë, shifër që kalon 55% për grupmoshën 18-25 vjeç.

Problemet serioze për ekonominë spanjolle kanë bërë që vendi të përballet me lëvizje gjithmonë e më të fuqishme separatiste, me krahina si Katalunja që kanë vënë në lëvizje një aksion politik për fitimin e pavarësisë nga Spanja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA